Numri i kartave të kreditit pësoi rënie në 2024, por tregu u bë më konkurrues
Tregu i kartave të kreditit në Shqipëri pësoi sërish rënie gjatë vitit 2024.
Rënia e përgjithshme në 2024
Tregu i kartave të kreditit në Shqipëri pësoi sërish rënie gjatë vitit 2024. Sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave, në fund të vitit u raportuan 113,290 karta krediti aktive, me një rënie prej 6.1% krahasuar me një vit më parë.
Rënia u shkaktua kryesisht nga dy bankat kryesore – Banka Kombëtare Tregtare (BKT) dhe Raiffeisen Bank Albania – të cilat humbën pjesë tregu dhe numër kartash aktive. Ndërkohë, shumica e bankave të tjera shënuan rritje, duke forcuar konkurrencën në treg.
Dominimi i bankave kryesore
Pavarësisht rënies, BKT dhe Raiffeisen vijojnë të dominojnë tregun me rreth 64% të totalit të kartave të kreditit:
-BKT: pjesa e tregut ra në 32.2%, nga 36.3% një vit më parë.
-Raiffeisen Bank: zbriti në 31.9%, nga 34.1% një vit më parë.
Rritja e bankave të tjera
Në të kundërt, disa banka të tjera fituan terren në treg:
-Union Bank: u ngjit në 8%, nga 6.7%.
-Tirana Bank: arriti 6.6%, nga 5.6%.
-Credins Bank: u rrit ndjeshëm në 6.6%, nga 4.7%.
-OTP Albania: 5.3%.
-Fibank: 4.7%.
-Intesa Sanpaolo Bank Albania: 3.6%.
-ABI Bank: 1%.
-ProCredit Bank: 0.2%.
Pagesat me kartë në rritje
Sektori bankar po përjeton një rritje të shpejtë të pagesave elektronike, e nxitur sidomos nga kërkesa e turistëve të huaj. Gjatë vitit 2024, pagesat me kartë në terminalet POS arritën në 19.6 milionë transaksione, duke shënuar një rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, përdorimi i kartave të kreditit në Shqipëri mbetet i kufizuar, për shkak të nivelit të lartë të informalitetit dhe prirjes së ekonomisë drejt pagesave në para cash.
Normat e interesit
Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit për kartat e kreditit në gjysmën e parë të vitit 2025 ishte:
-20.29% për kartat në Lekë (për shuma deri në 200 mijë lekë).
-16.95% për kartat në Euro.
Krahasuar me një vit më parë, normat për kartat në Euro ranë, ndërsa për ato në Lekë shënuan një rritje të lehtë.
Megjithëse ofrojnë periudhë faljeje për pagesën pa interes, kartat e kreditit kanë norma më të larta interesi sesa produktet e ngjashme të kredisë konsumatore, si overdraftet. Kjo lidhet me shkallën më të lartë të rrezikut që mbartin si produkte kreditore. /Monitor(https://monitor.al/numri-i-kartave-te-kreditit-pesoi-renie-ne-2024-por-tregu-u-be-me-konkurrues/)